Vjedhje e armatosur në poligonin “Fazani” – grabiten mbi 30 armë zjarri

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet. Shtëpitë, bizneset e ndryshme në Kosovë dhe hapësirat tjera publike janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në fshatin Sankoc të Komunës së Gllogocit, ku persona të panjohur dhe të maskuar kanë kryer një vjedhje të rëndë me përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Rreth orës 01:30, është raportuar se në poligonin e shenjëtarisë “Fazani” kanë hyrë forcërisht persona të maskuar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit rajonalë dhe forenzika. Gjatë kontrollit të objektit u konstatua se autorët kishin hyrë përmes një dritareje të hapur me forcë, ndërsa brenda nuk u gjet asnjë person i dyshuar.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, rreth 30 armë zjarri të vogla, të kalibrave të ndryshëm: Një armë automatike, një armë zjarri e tipit “Skorpion”.

Sipas deklarimeve, dëmi i shkaktuar kap vlerën mbi 40 mijë euro, ndërsa nuk është i njohur ende numri serik i armëve të vjedhura.

Përtej grabitjes, dyshohet se në afërsi të vendit ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, por nuk janë gjetur gëzhoja në terren.

Prokurori kujdestar është njoftuar dhe rasti po trajtohet si vjedhje e rëndë dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, ndërsa hetimet janë në zhvillim e sipër.

Lexo edhe:  KEDS: Nuk do të ketë punime në rrjet e as ndërprerje të rrymës deri më 4 janar