Vjedhi stolitë në vlerë të 70 mijë eurove, arrestohet hajni për vjedhjen në banesën e ish-Miss Kosovës

Banesa e ish-Miss Kosova, Afërdita Paqarada, javë më parë ishte cak i hajnave.

Një person që kishte hyrë brenda banesës në rrugën ‘Gazmend Zajmi’, dyshohet se vodhi stoli ari e bizhuteri të tjera në vlerë të 70 mijë eurove.

Që nga fundi i muajit janar, kur edhe u denoncua rasti në organet e rendit, njësitë policore kishin kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kishin marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se është arritur që të identifikohet personi i dyshuar dhe i njëjti është arrestuar.

Policia bashkë me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e 38-vjeçarit në fshatin Mazgit të Obiliqit, ndërkohë që është sekuestruar edhe vetura e tij.

I dyshuari është shoqëruar në stacion ku është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.

Ndryshe ish-opinionistja e formatit televiziv Big Brother Vip Kosova, ka folur edhe vetë lidhur me vjedhjen, teksa ka bërë me dije se rasti ka ndodhur në ‘prime-in’ e fundit që mori pjesë.

Lexo edhe:  “O qen, na ke djegë tanë jetën”, tensione mes të akuzuarve për vrasjen e Bedri Rexhepit