Viqentijeviq: Radoiçiqi e ndaloi një sulm në Kosovë, priste të fitonte Trumpi
Jovan Viqentijeviq, një nga vëllezërit e akuzuar për sulmin me rreth 20 kilogramë eksploziv në kanalin e Ibër–Lepencit një vit më parë, ka rrëfyer se në tetor të vitit 2024 ishte planifikuar një sulm tjetër në territorin e Kosovës.
Ai nuk ka dhënë detaje për natyrën e operacionit, por ka thënë se plani u ndalua nga terroristi Milan Radoiçiq, i cili është në kërkim ndërkombëtar për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë togeri Afrim Bunjaku.
Sipas rrëfimit të Viqentijeviqit, Radoiçiqi e ndaloi sulmin shkaku i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pritjes për fitoren e Donald Trumpit. Madje, ai thotë se Radoiçiqi e financoi fushatën e Trumpit me 30 milionë euro përmes lobit serb.
“Tutje, i pandehuri Jovan Viqentijeviq ka theksuar se në muajin tetor të vitit 2024 ka qenë i planifikuar një sulm në Republikën e Kosovës (nuk ka cekur diçka më shumë), por ishte stopuar nga i kërkuari me letër rreshtimi ndërkombëtar Milan Radoiçiq me arsyetimin se duhet të presim deri të përfundojnë zgjedhjet në Amerikë, dhe kandidati për president të SHBA-së, z. Donald Trump të fitojë, pasi që, sipas informatave që ka i pandehuri Viqentijeviq, Milan Radoiçiq ka financuar fushatën e z. Trump te Lobi Serb me tridhjetë (30) milionë dollarë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Jovan Viqentijeviq përveç akuzës për veprën terroriste, po hetohet edhe për spiunazh, ndërsa në dosje figuron edhe një kartelë e inteligjencës ushtarake.
Viqentijeviq ka pohuar gjithashtu se një ditë para sulmit të armatosur në Banjskë, ai ndodhej në një bazë ushtarake në Serbi, ku – sipas tij – ishte duke u trajnuar grupi i Radoiçiqit.
Aktakuza për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit përfshin vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, që akuzohen për “rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, dhe për terrorizëm. Ata dhe Igor Dimiqi akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje

