Vinarc i Poshtëm: 44-vjeçari kapet me armë në dorë duke bërë xhiro në fshat
Një tjetër rast i mbajtjes së armës pa leje është regjistruar më 2 maj 2025 në fshatin Vinarc i Poshtëm të komunës së Mitrovicës. Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë të ditur se rreth orës 20:30, një burrë është parë duke lëvizur me armë në dorë në afërsi të marketit “Egzoni”, duke alarmuar banorët lokalë.
Policia është njoftuar menjëherë dhe njësitet reaguan me shpejtësi, duke arritur ta identifikojnë dhe arrestojnë personin e dyshuar. Bëhet fjalë për Bashkim Hasanin, 44 vjeçar.
Gjatë kontrollit të trupit dhe të çantës që mbante me vete, policia ka gjetur një armë zjarri, një karikator dhe tre fishekë. I dyshuari është dërguar për intervistim, ku më pas, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është liruar në procedurë të rregullt.
Ndaj Hasanit është iniciuar rasti penal për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa hetimet pritet të vazhdojnë në vijim.
Ky është rasti i dytë brenda dy ditësh në Mitrovicë që përfshin armë zjarri në duar të personave pa autorizim, një tregues shqetësues për mungesën e kontrollit mbi posedimin dhe qarkullimin e armëve në hapësira publike.