Vidhen mijëra euro e armë në një shtëpi në Gjakovë, zbulohen hajnat
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar edhe pronari i një shtëpie në Damjan të Gjakovës, në orët e para të ditës së sotme.
Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur pas mesnate, kur dy persona kanë depërtuar me forcë brenda shtëpisë dhe kanë arritur që të marrin rreth 5 mijë euro para të gatshme, si dhe një armë.
Me të shkuar në shtëpi, pronari ka vërejtur se të hollat dhe arma nuk ishin në vendin ku i ka lënë, me ç’rast ka njoftuar Policinë se shtëpia e tij ka qenë cak i hajnave.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë intervistuar viktimën, teksa janë identifikuar edhe dy persona të dyshuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj tyre është iniciuar rasti “Vjedhje e rëndë”.