Vetura “luksoze” që Fadil Nura e ka marrë me qira, me paratë e komunës

Me datën 31 mars të këtij viti, komuna e Skenderajt ka nënshkruar një kontratë me një autosallon, për ‘marrjen me qira të një automjeti për nevojat e kësaj komune’.

Kjo kontratë e fituar pas ritenderimit, është shumë e mangët në informacione me asnjë të dhënë të vetme, përveç çmimit, vlerën e ka 4950 euro.

Kryetari i kësaj komune nga Partia Demokratike, Fadil Nura pa treguar se pse nuk ka informacione në këtë kontratë. Ai i tha Nacionales se arsyeja e marrjes me qera të kësaj veture, është gjendja e rëndë e automjeteve ekzistuese të komunës. Ndërsa vetura e marrë me qera është Audi Q5.

“Këtë veturë e kemi marrë për nevoja të komunës, për shkak se gjendja e automjeteve ekzistuese të autoparkut të komunës është tepër e randë. Përmes AQP-së kemi kërku këtë gjë, sepse kontratën e ka bërë niveli qendror, se është në fuqi edhe për komunat. Veturat të cilat i kanë ata të kontraktuara nuk ka pasë në atë kohë, andaj pas konfirmimit të tyre jemi detyru me shpallë procedura dhe me kontraktu një veturë për nevojat e komunës,” – tha Nura për gazetën.

I pyetur nga gazeta se cila është periudha e marrjes në shfrytëzim të kësaj veture, kryetari Nura nuk ishte në dijeni. Përveç se tregon që vlera është nën çmimin e tregut.

“Vetura në përgjithësi është për nevojat e komunës. Nuk e di saktësisht sa është shfrytëzimi i saj, por kontrata është e limitume. E di që vlera është nën vlerën e çmimit të tregut. Është audi Q5”, deklaroi kryetari.

Gazeta ka kontaktuar edhe me fituesin e kontratës, pronarin Esat Xanin me autosallonin “Byli”, por i njëjti ka folur vetëm për vitin e veturës Audi, dhe ka mbyllur telefonin, duke mos qenë i qasshëm më.

Lexo edhe:  “Patriot është Afrim Bunjaku”- Kurti kërkon nga qytetarët të mos e heroizojnë Faton Hajrizin

“Audi është e vitit 2013 ose 2014 najsen,” – ka thënë z. Xani.

E kryetari i Skenderajt Fadil Nura ka treguar se komuna gjithsej i ka 7 vetura por si shkak i gjendjes jo të mirë të tyre, i njëjti është detyruar që në një mbledhje në Shqipëri të shkojë me veturën e tij personale.

“Nësë nuk gaboj 7 vetura janë komplet, por nuk janë në gjendje të sigurt as deri në Prishtinë me udhëtu. E le ma me pas naj vizitë. Në Shiqipëri për shembull për punë të komunës kam shku me kerr privat, sepse nuk i kam besu asnjë veture që kemi në komunë”

Në kuadër të KAP-it për vitin e ardhshëm Nura tregon se i ka paraparë 100 mijë euro, për blerjen e veturave të komunës.