Vetura i ishte vjedhur më parë, u kthye nga policia – tani e zhdukin sërish

Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Automjete të ndryshme po vidhen qoftë në parkingje apo hapësira tjera publike.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Gjakovë, ku një qytetar është përballur me vjedhjen e veturës së tij për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se rasti është denoncuar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, më 4 qershor, në rrugën “Ismail Qemajli”, ku është raportuar vjedhja e një veture të tipit Golf 3.

Ankuesi L.T., rreth 58-vjeçar, ka deklaruar se veturën e kishte të parkuar dhe të mbyllur në atë lokacion, mirëpo me t’u kthyer në mëngjes nuk e kishte gjetur në vendin ku e kishte lënë.

Sipas deklaratës së tij, kjo nuk është hera e parë që vetura i vidhet – disa ditë më parë, e njëjta ishte vjedhur, por më pas ishte gjetur dhe kthyer nga Njësia e Hetimeve.

Vlera e veturës, sipas pronarit, është rreth 1,000 euro, ndërsa në të nuk kishte gjëra me vlerë.

Rasti është iniciuar si “Vjedhje”, ndërkohë që i dyshuari mbetet i paidentifikuar dhe në arrati. Policia ka nisur hetimet për ta zbuluar autorin.

Lexo edhe:  Aksident mes një veture dhe kamioni, në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë