Veri: 28-vjeçares ia thyejnë veturën që e parkoi para shtëpisë, Policia nis hetimin e rastit

Incidentet ku përfshihen veturat janë goxha të shpeshta në pjesën veriore në vend. Zjarrvënie, sulme e vjedhje janë vetëm disa nga rastet që janë raportuar në vazhdimësi.

Kështu ndodhi edhe dje, në Mitrovicë të Veriut, ku një 28-vjeçare kërkoi ndihmën e Policisë.

Këtë herë, një veturë u thye nga persona të panjohur, për motive po ashtu të panjohura.

Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije për Sinjalin se viktima e ka denoncuar rastin, pasi e gjeti veturën të thyer mëngjesin e djeshëm.

Bazuar në informacionet e para, të dyshuarit gjatë natës kanë shkuar në afërsi të shtëpisë së viktimës, ku e kishte parkuar veturën dhe ia kanë thyer xhamin.

Pasi e zbuloi çfarë kishte ndodhur, 28-vjeçarja kërkoi ndihmë duke e raportuar rastin e dëmtimit të automjetit dhe dha dëshminë e saj në Polici.

Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Lexo edhe:  Shqetësuese: Dy të mitur kapen me thika në Podujevë, i ekspozuan ato në oborrin e një shkolle