Vendosen gurë në linjën hekurudhore Prishtinë-Pejë, shmanget fatkeqësia

Në linjën hekurudhore Prishtinë-Pejë, persona të papërgjeshëm kanë hedhur gurë mbi trasenë hekurudhore, në dalje të stacionit Cerrovikë, më saktë në kilometrin 37+500.

Ndërmarrja “Infrakos” njofton se është shmangur fatkeqësia falë profesionalizmi të makinistëve të trenit.

“Falë vigjilencës dhe profesionalizmit të makinistëve të trenit (Traseja 761), është shmangur një fatkeqësi e mundshme, duke mbrojtur jetën e qindra udhëtarëve që po përdornin këtë linjë për udhëtim.
“Infrakos” dhe “Trainkos” dënojnë ashpër këtë akt të papranueshëm, i cili ka cenuar sigurinë e vendit dhe ka vënë në rrezik serioz jetën e shumë qytetarëve të pranishëm në trenin e linjës.
Vendosja e pengesës në një lokacion të përzgjedhur siç është rrezja e kthesës me kufizim të dukshmërisë në pamje ka rrezikuar daljen e trenit nga shinat, andaj na bën të besojmë se ky nuk është një akt i thjeshtë, por një veprim që duhet të vëjë në lëvizje organet e rendit.
Për këtë arsye, “Infrakos” dhe “Trainkos” u bëjnë thirrje organeve të sigurisë që të hetojnë dhe të zbardhin sa më shpejt këtë veprim të rrezikshëm, duke siguruar që autorët të marrin dënimin e merituar.
Hekurudhat e Kosovës mbeten të përkushtuara për të ofruar shërbime të sigurta dhe të besueshme për qytetarët e vendit” thuhet në njoftimin e Infrakosit

Lexo edhe:  Dy zyrtarë të ATK-së kapen duke kontrabanduar mallra nga Serbia me veturë 3Z