Vëllezërit Canolli në Marec të Prishtinës rrahen mes vete për pronë, përfundojnë në pranga

Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkaktojnë përleshje e telashe të shumta në familjet kosovare, të cilat shpesh edhe eskalojnë në kërcënime serioze. Kështu ka ndodhur edhe të mërkurën në fshatin Marec të Prishtinës, ku dy vëllezër kanë përfunduar në pranga të Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy vëllezërit Canolli janë kapur mes vete, dje në orët e mëngjesit, për shkak të një konflikti për pronë, që u bë mollë sherri mes tyre dhe kaloi në rrahje.

Sipas informacioneve të para, mes dy palëve fillimisht ka nisur një zënkë, por për shkak se të njëjtit s’janë marrë vesh, janë rrahur me njëri-tjetrin, duke pësuar kështu lëndime trupore.

Përballë kësaj situate, vëllai tjetër i tyre ka vendosur të kërkojë ndihmë nga Policia, duke e denoncuar atë që ka ndodhur, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes.

Të dyshuarit janë arrestuar nga Policia dhe më pas janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rastin.

Ndaj tyre, me vendim të Prokurorit të Shtetit është caktuar masa e ndalimit policor.

Lexo edhe:  Të dyshuarit për të shtënat në Prishtinë janë 15-vjeçarë, sekuestrohet arma e zjarrit