Vëllai i rojës së vrarë në “Bon Vivant”: I shokuar nga vendimi i gjykatës
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar sot me 25 vjet burgim dy të akuzuarit për vrasjen në “Bon Vivant”.
I akuzuari kryesor për vrasjen në lokalin “Bon Vivant”, Masar Gërdovci është dënuar me 18 vjet burgim për vrasje të rende në bashkëkryerje dhe me njëmijë e 500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, të akuzuarit Sherif Krasniqi, gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej shtatë vjetësh, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Mirëpo vëllai i viktimës, Rrahim Uka, është shprehur i pakënaqur me këtë aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka treguar se do të paraqesë ankesë për ankimuar aktgjykimin e shpallur sot.
“Si përfaqësues i familjes nuk e kemi pritur këtë vendim si duhet për arsye se tetë vjet kemi pritur që ky vendim ta sjellë dënimin meritor”.
“Si familje jemi shumë të zhgënjyer me këtë vendim të gjykatës. Rasti ynë ka qenë diçka shumë tragjik sepse pas vrasjes së vëllait, pas një muaji edhe babai ka pësuar infarkt. Ne kemi pritur shumë se ka qenë një vrasje e pastër, ka qenë në vendin e punës dhe ka lënë fëmijë”.
“Ne edhe një herë do të bëjmë ankesë dhe shpresojmë që edhe një herë do të marrë vendim gjykata”.
Sipas tij, edhe pas tetë vjetësh, drejtësia për të tretën herë nuk shkoi në vend.
“Nëse gjykata nuk na mbron neve, atëherë detyrohemi të mbrohemi vetë sepse jemi të shokuar me këtë vendim”.