”Vëlla e motër me pas, kur kapet duke keqpërdorur vendin e ka në burg”, Basha për kontratën e kerozinës në Aeroport

Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka reaguar pas raportimit të Front Online lidhur me kontratën për furnizim me kerozinë në aeroport.

Front Online raportoi se kompania EX FIS, e cila kishte financuar Lëvizja Vetëvendosje gjatë zgjedhjeve, është shpërblyer me një licencë 7-vjeçare për furnizimin me kerozinë në aeroport.

Basha deklaroi se çdo person që kapet duke keqpërdorur detyrën duhet të përballet me ligjin.

“Vëlla e motër me pas, kur kapet duke keqpërdorur vendin e ka në burg. Ky është zotimi im dhe do të mundohem të punoj me zell”, tha ai.

 

Ai shtoi se nuk do të lejojë që të dëmtohet buxheti i shtetit dhe se do ta shqyrtojë çështjen në detaje.

“Betohem që nuk do ta lë asnjë njeri me vjedh shtetin. Unë nuk jam ulur ende me drejtorin e Aviacionit dhe Limakut, por zotohem se nuk lejoj që asnjë cent të shtetit me u vjedh”, u shpreh ministri.

Sipas Bashës, marrëveshja e koncesionit e vitit 2020 parasheh që kompania Limak Holding, e cila është bashkëaksionare në aeroport, të ketë marrëveshje për furnizimin me kerozinë.

Ai tha se kjo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën dhe paralajmëroi se do të kërkojë takim me drejtuesit e sektorit për ta sqaruar situatën.

“Kam kërkuar takim me drejtorin dhe do të ulemi që të sigurohemi se ka trajtim të barabartë të palëve dhe konkurrencë të lirë në treg, siç ndodh në çdo demokraci”, deklaroi Basha.

Ministri shtoi se do të diskutohet edhe për mundësinë e furnizuesve shtesë në mënyrë që të shmanget monopoli në aeroport.

“Po ju jap si premtim që do ta trajtoj rastin, do ta takoj drejtorin dhe do të diskutojmë për furnizues shtesë që të mos ketë monopol në aeroport dhe që aviokompanitë të mos paguajnë çmime më të larta, sepse kjo përkthehet në bileta më të shtrenjta për qytetarët”, tha ai në Debat Plus.

Lexo edhe:  Mirlind Dakut i vdes personi i zemrës