Vdes foshnja e posalindur në QKUK, drejtori i Gjinekologjisë jep detaje

Një rast i rëndë ka ndodhur të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Një foshnje e posalindur ka ndërruar jetë, derisa akoma nuk dihen shkaqet dhe rrethanat që çuan deri tek rasti.
Nëna e kësaj foshnje po trajtohej në Gjinekologji prej disa ditësh, kurse familja Krasniqi dje janë njoftuar se foshnja ka ndërruar jetë.

E sipas informatave të para familjarët këtë rast tashmë e kanë denoncuar edhe në Policinë e Kosovës.

Pas marrjes së informatës në vendin e ngjarjes, saktësisht në Gjinekologji kanë dalë edhe njësitë policore ku janë intervistuar palët e përfshira si prindërit dhe mjekët në Gjinekologji.

Në lidhje me këtë rast, lajmi.net ka kontaktuar drejtorin e Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrejaj.

Ndrejaj ka konfirmuar vdekjen e foshnjës, ndërsa tha se janë duke e hulumtuar rastin duke u bërë analiza laboratorike që të dihet se si ndërroi jetë foshnja.

”Kjo lindje ka ardhur në jetë gjatë vikendit. Ne jemi duke e hulumtuar rastin. Janë duke u bërë analiza laboratorike, historia, marrja e deklaratave. Placenta me frytin janë dërgu në në autopsi të shohim tash”, ka thënë Ndrejaj

Në lidhje me shkaqet Ndrejaj ka thënë  se munden të jenë të ndryshme, por po dyshohet për infeksion meqë nëna ka pas probleme edhe gjatë shtatzënisë.

“Shkaqet janë të shumta qe mundën me ardhë te vdekja, mund të jetë ndonjë shkak i infeksionit se nëna ka pas probleme edhe gjatë shtatzënisë pacientja”, ka thënë Ndrejaj.

Në lidhje me rastin janë intervistuar gjithë njerëzit që kanë qenë kujdestar kur ka ndodhur ky rast.

Duhet theksuar se raste të ngjashme ka pasur edhe më parë në kuadër të Gjinekologjisë, por se shumë prej tyre janë mbyllur duke u cilësuar si vdekje të natyrshme.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Vdes 8 vjeçari pasi ra nga traktori të cilin po e drejtonte një 11-të vjeçar

Rasti i foshnjës që ndërroi jetë tashmë po hetohet edhe nga Prokuroria.