Vdes 16-vjeçari i cili ishte plagosur nga polici në Dubravë të Istogut
Getoar Kamberaj nga fshati Uçë i Istogut, i cili ishte plagosur nga pjesëtari i policisë, Fatjon Hoti në Dubravë të Istogut, ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Burimet e IndeksOnline kanë thënë se Geti nuk ka arritur t’u mbijetonte plagëve të marra nga arma e policit, i cili është edhe tezak i viktimës.
Polici është arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin se ka plagosur me armë zyrtare aksidentalisht një familjar të tij të mitur në kokë.
Polici në fjalë është arrestuar si i dyshuar për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë dhe ai me vendim të IPK-së është suspenduar nga detyra.
Sipas komunikatës për media të IPK-së, ngjarja ka ndodhur pas mesnatës, më 16.07.2024, në fshatin Dubravë të Istogut
“Hetuesit e IPK-së menjëherë i janë përgjigjur thirrjes kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar” , tha inspektorati.
Tutje është thënë se personi i plagosur në këtë rast, i cili është moshës 16-vjeçare, është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës e pastaj është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
“Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në shtëpinë e zyrtarit policor, i cili deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se aksidentalisht ka shkrehur armën zyrtare”, thotë IPK-ja.
Më tej është thënë se policit të dyshuar me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë