Vdekja tragjike e 60-vjeçarit në vendin e punës në Skenderaj, arrestohet dhe dërgohet në paraburgim Arif Lushtaku
Në kuadër të zhvillimeve hetimore për vdekjen tragjike të 60-vjeçarit, Ramadan Ramadani, i cili humbi jetën si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e tij të punës në Skenderaj, është arrestuar edhe një tjetër person.
Sinjali mëson se gjatë ditës së sotme është shoqëruar në stacion policor për intervistim edhe Arif Lushtaku, investitori i objektit ku po punonte i ndjeri, ndaj të cilit fillimisht është caktuar masa e ndalimit policor në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Ndërkohë brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka parashtruar kërkesë në Gjykatën kompetente për caktimin e masës së sigurisë ndaj Lushtakut dhe pronarit të kompanisë, Armend Krasniqi.
Burimet e Sinjalit brenda Gjykatës bëjnë të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake u ka caktuar dy të dyshuarve masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.