Vdekja tragjike e 35-vjeçares në Malishevë: Kërkohet paraburgim për mjekun e dyshuar dhe motrën e tij
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka parashtruar kërkesën për paraburgimin e dy mjekëve të arrestuar të cilët dyshohen për rastin tragjik që ndodhi në Malishevë, ku vdiq një grua 35-vjeçare pasi u trajtua në klinikën e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
E ndjera ishte paraqitur në klinikën e tyre për hequr një dhëmb e që më pas i ishte komplikuar gjendja shëndetësore dhe u dërguar në QKUK, por nuk kishte arritur me shenja jete.
Mjeku i dyshuari, Xhavit Karaxha dhe pronarja e ordinancës, motra e tij, Hanife Karaxha, rrezikojnë paraburgimin për një muaj, nën dyshimet për dy vepra penale.
Mjeku dyshohet për veprën “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” dhe veprën tjetër penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, kurse ndaj Hanife Karaxhës është bërë kërkesa për paraburgim për veprën penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” si dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë, në një reagim publik, ka njoftuar se institucioni shëndetësor në Malishevë, ku humbi jetën 35-vjeçarja si pasojë e trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor, ka ushtruar veprimtari ilegale.
MSH bëri të ditur se përmes Inspektoratit Shëndetësor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, “menjëherë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet konform kompetencave pas rastit tragjik që rezultoi me fatalitet për një qytetare”.
“Një ngjarje e tillë, në rrethana kur një qytetare humb jetën pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor ‘Doktorat’, të cilët kanë ushtruar veprimtari ilegale, është e patolerueshme dhe do të angazhohemi që të ofrojmë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj kryersve të kësaj vepre të rëndë”, thuhet në njoftim.
Njëkohësisht, MSH-ja njofton se janë shqyrtuar edhe raportet e komisionit të licencimit lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni privat.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.