Vdekja e Hulk Hogan, reagon WWE: Zbulon shkaqet e ndarjes nga jeta të legjendës së WWE-së
Hulk Hogan, ikona e mundjes dhe një nga figurat më të njohura të sportit dhe argëtimit në SHBA, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare pas një sulmi në zemër. Lajmin e ka konfirmuar vetë WWE përmes një deklarate zyrtare.
I lindur si Terry Gene Bollea në Florida, Hogan u shndërrua në një yll ndërkombëtar gjatë viteve ’80 dhe ‘90, duke u bërë sinonim i wrestling-ut profesional.
I njohur për hyrjen e tij ikonike me këngën “Real American”, ai mishëroi patriotizmin amerikan dhe u bë simbol i epokës së artë të WWE.
Karriera e tij mori hov pas fitores kundër Iron Sheik në vitin 1984, ndeshje që shënoi fillimin e fenomenit të njohur si “Hulkamania”.
Në vitin 1988, ai humbi titullin kundër Andre the Giant, por mbeti një figurë qendrore në skenën e wrestlingut për dekada të tëra.
Në fillim të viteve ’90, Hogan u largua nga WWE (atëherë WWF), pas polemikave të lidhura me përdorimin e steroideve.
Ai vazhdoi karrierën në World Championship Wrestling (WCW), ku në vitin 1996 rikrijoi veten si “Hollywood Hogan”, duke udhëhequr grupin revolucionar nWo (New World Order).
Përveç wrestling-ut, Hogan shënoi edhe suksese në Hollywood, duke debutuar në filmin “Rocky III” në vitin 1982, e më pas duke luajtur në komeditë “Mr. Nanny” (1993), “Santa With Muscles” (1996) dhe të tjera.
Në vitin 2012, ai u përfshi në një skandal privatësie pas publikimit të një videoje intime nga portali Gawker, të cilin më pas e paditi dhe fitoi një dëmshpërblim prej 140 milionë dollarësh – një rast që bëri histori në raportet mes privatësisë dhe lirisë së shtypit në SHBA.
Hogan u përfshi gjithashtu në një tjetër skandal në vitin 2015, kur WWE e hoqi përkohësisht nga Salla e Famës, pas publikimit të një videoje ku ai përdorte një shprehje raciste. Ai u rikthye në organizatë në vitin 2018.
Në jetën personale, Hogan ishte i martuar tri herë. Ai lë pas gruan e tij të fundit, Sky Hogan, ish-gruan Linda Hogan dhe dy fëmijët e tij, Brooke dhe Nick Hogan.
Martesa me Lindën zgjati nga viti 1983 deri më 2009, ndërsa me Jennifer McDaniel nga 2010 deri më 2021.
WWE shprehu ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të një prej figurave më të mëdha të historisë së saj: “WWE është thellësisht e pikëlluar për ndarjen nga jeta të Hulk Hogan, një legjendë e kulturës pop që ndihmoi në shndërrimin e wrestling-ut në një fenomen global”.
“Ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për familjen, miqtë dhe fansat e tij anembanë botës”, thuhet në komunikatën e WWE-së.