Vdekja e gruas në Prizren, këto janë detajet e fundit nga Emergjenca
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Prizren, ku një grua është gjetur pa shenja jete dhe e njëjta dyshohet se i ka dhënë fund jetës së saj.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi një grua ishte pa ndjenja dhe dyshohej se ishte në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku pas ekzaminimeve për shenjat vitale në trupin e viktimës, mjeku ka konstatuar se ajo ka ndërruar jetë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Në kuadër të veprimeve hetimore është marrë dëshmia e djalit të viktimës, i cili ka bërë me dije se e ka gjetur nënën e tij të varur në garazhin e shtëpisë.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’.