Vazhdon ëndrra e shqiptarëve, Shqipëria triumfon pastër ndaj Polonisë
Shqipëria ka bërë hap gjigant drejt Kampionatit Evropian të vitit të ardhshëm. Të dielën mbrëma në “Air Albania” në Tiranë, kuqezinjtë kanë fituar 2:0 ndaj Polonisë, favorites së Grupit E. Me fitoren e arritur, Shqipëria bëhet lidere e grupit me dhjetë pikë nga pesë ndeshje.
Prapa ka mbetur Çekia me tetë pikë nga katër ndeshje. Tetë pikë nga pesë ndeshje i ka Moldavia, ndërsa Polonia është vetëm e katërta me gjashtë pikë nga pesë ndeshje. Shqipëria shënoi nga një gol në secilën pjesë për njërën prej fitoreve më të mëdha në histori.
Jasir Asani shënoi gol të rrallë në minutën e 37-të për 1:0. Asani goditi nga distanca, nga një pozitë e vështirë, por e dërgoi topin mjeshtërisht në rrjetë. Golin e qetësisë për Kombëtaren shqiptare e shënoi Mirlind Daku, sulmuesi gjilanas.