Vasfije Krasniqi-Goodman: UÇK për mua ishin shpëtimtarët e jetës sime

Vasfije Krasniqi-Goodman, një ndër zërat më të fuqishëm në betejën për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka ndarë një rrëfim prekës dhe thellësisht njerëzor për përjetimet e saj gjatë vitit 1999.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ajo ka rikujtuar një nga momentet më të errëta të jetës së saj, në një periudhë e mbushur me frikë, dhimbje dhe mungesë shprese.

“Pas asaj që kisha përjetuar me 14 prill të vitit 1999, për mua pak apo fare nuk kishte shpresë. E gjendur një një zonë tërësisht të rrethuar nga forcat serbe, nuk e besoja që do të shpëtoja e gjallë. Si viktimë, ndihesha e thyer dhe e pafuqishme”, tha ajo.

Por në atë moment të errët, ndryshoi gjithçka. Ajo kujton me emocion mbërritjen e pjesëtarëve të UÇK-së në zonën ku ndodhej.

“Aty erdhën luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk do ta harroj kurrë atë moment”, u shpreh ajo.

Krasniqi-Goodman thekson se UÇK nuk ishte vetëm një forcë ushtarake, por mbi të gjitha një forcë humane, një mburojë për civilët e pambrojtur.

Ata, thotë ajo, i ofruan ndihmën e parë, u kujdesën për jetën dhe shëndetin e saj aq sa kishin mundësi, në kushte të jashtëzakonshme.

“Për mua, për ne, UÇK nuk ishte vetëm një forcë ushtarake, por ata ishin shpëtimtarë, mbrojtës të popullit, të cilët e vunë veten e tyre mburojë të trupave tanë. Ata dhanë jetën e tyre që të vazhdonim ne jetën tonë.”

Krasniqi-Goodman përfundon me një mesazh të fuqishëm falënderimi dhe respekti: “Ato ditë kurrë nuk i harroj! Do të mbeten përgjithmonë në kujtesën time si momente kur unë ndjeja mbrojtjen e jetës sime me jetën e tyre. Faleminderit përjetësisht, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Faleminderit përjetësisht, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Lexo edhe:  Pamje nga veriu, mbi 100 policë të EULEX-it po patrullojnë në komunat veriore