Varësia e të rinjve nga droga, Policia i kap me marihuanë dy persona në një parking në Lipjan

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në parkingun e një lokali në Lipjan, ku Policia ka ndaluar dy të rinj, nën dyshimin për posedim të gjësendeve të kundërligjshme.

Sinjali mëson se gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur te të dyshuarit një sasi të marihuanës, që dyshohet se e kishin për konsum personal.

Substanca narkotike që u gjet është sekuestruar, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tyre të iniciohet rasti si ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Shoferi me ‘Porsche’ ndalet nga Policia në Gjilan, i gjendet armë e municion