Valon Syla flet pas sulmit: Tre islamikë fanatikë më kanë sulmu edhe kanë ikë

Gazetari dhe opinionisti kosovar, Valon Syla, është sulmuar në orët e vona të mbrëmjes së shkuar nga tre persona dhe si pasojë ka pësuar lëndime trupore, raporton Gazeta Sinjali.

Nga Emergjenca e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku u dërgua për të marrë tretmanin e nevojshëm mjekësor, Syla ka folur shkurt lidhur me sulmin.

“Dmth tre islamikë fanatikë më kanë sulmu. Shpejt e shpejt ka ndodhë edhe kanë ikë”, ka thënë ai për RTV Dukagjini.

E gjithë ngjarja dyshohet se ka ndodhur pak minuta pas përfundimit të emisionit ‘Pressing’ në T7, ku Syla është panelist.

Menjëherë pasi ai ka dalë nga zyrat e televizionit, tre persona dyshohet ta kenë ndjekur nga pas dhe e kanë sulmuar në kafenenë ‘Image’ duke i shkaktuar lëndime të lehta në kokë.

Shkak i sulmit dyshohet të jenë bërë komentet e Sylës lidhur me fenë islame, ku gjatë ditës së djeshme ka pasur një sërë reagimesh në llogarinë e tij në Facebook, ku ironizonte me veturën luksoze të tipit Mercedes, që iu bë dhuratë hoxhës nga Prizreni, Mazllam Mazllami.

Lexo edhe:  Këto vende sot mbesin pa energji elektrike