Vajza e Fahri Musliut i reagon Velës: Mënyra juaj e komunikimit është për keqardhje

Valbona Musliu, vajza e gazetarit Fahri Musliu i ka reaguar ashpër Blerim Velës, shefit të stafit të presidentes, Vjosa Osmani, rreth një shkrimi të bërë sot ku me tallje ka kërkuar që Aleksander Vuçiq të bëjë poligrafin dhe analizën e ADN-së bashkë me gazetarin Fahri Musliu.

Musliu tha se vetëm frikacakët, jo profesionistët, injorantët e të përdalët shkruajnë shkrime e më pas i fshijnë.

“Blerim Vela, para se te shkruash apo te komentosh mendo dy here. Ose shkruaj e mos fshi, ose mos shkruaj fare.Vetem frikacaket, jo profesionistet, injorantet e te perdalet shkruajne e me pas fshijne… E te guximshmit, profesionistet, e te moralshmit u qendrojne prapa shkrimeve, fjaleve, statuseve e komenteve”, ka shkruar ajo.

“Blerim Vela sikur te isha afer do te vendosja ne peshore per me e mate peshen tende me karrieren e Fahri Musliut, Po,Po, do i vendosja ne peshore edhe vitet e tua nese jane 50-te, sa ka karriere Fahri Musliu, e besa do e peshoja edhe trurin tend e intelektin. Mire qe nuk jam afer, dhe nuk kam mundesi, sepse do te peshoja edhe me librat e shkruar, analizat, e mos te flas per raportet, intervistat e te tjera pune gazetareske te Fahriut….e mos ta le anash edukaten familjare, dhe sa do kisha dashur qe nje bagazh i tille i nje intelektuali, e mbi te gjitha nje njeriu qe ska lepire ne pjata te huaja e as ne kepucet e huaja, te ishte ne institucionin qe ti edhe perfaqeson sot. Blerim”, shkroi më tutje ajo.

Pas reagimeve të shumta që mori, Vela ka mbyllur llogarinë e tij në X, teksa ka thënë për Expressin se i kërkon falje Musliut dhe publikut kosovar.

Ai është shprehur se s’ka arritur të përçojë mesazhin në mënyrë të qartë, kur ka dashur të theksoj absurditetin e çështjeve që lidhen me Vuçiqin dhe qasjen e presidnetit serb në raport me Musliun dhe Kosovën.

Lexo edhe:  Punime në rrjet, KEDS tregon për vendet ku do të ketë ndërprerje të rrymës nesër

“I kërkoj falje gazetarit Fahri Musliu dhe publikut, që në përpjekjen time për ta theksuar absurditetin e çështjeve në fokus të presidentit të Serbisë dhe qasjen e tij në raport me z. Musliu dhe me ne, nuk kam arritë ta përqojë mesazhin qartë”, ka thënë Vela.

Ai tutje ka thënë se kërkon falje të sinqertë për komentet e tij dhe thotë se s’kanë pasur qëllim ta lëndojnë gazetarin Musliu apo ta lëndojë personalitetin e tij.

“Ju kërkoj ndjesë të sinqertë për komentet e papërshtatshme nga ana ime që gjithsesi nuk e kishin qëllimin ta lëndojnë z.Musliu apo personalitetin e tij. Prandaj i kërkoj falje edhe një herë, sinqerisht!”, ka shtuar ai.

Në fund Vela ka thënë se komenti i tij s’përfaqëson presidencën.

“Shpresoj në mirëkuptimin tuaj dhe ju siguroj që komenti im nuk e përfaqëson Presidencën”, ka përfunduar ai.

Postimi i Velës erdhi pas publikimit të videos, ku Vuçiq kishte dalë bashkë me babain e tij, Angjelko Vuçiq, për të demantuar pretendimet rreth tij dhe Fahri Musliut.

Ndryshe gazetari në pension Fahri Musliu në vazhdimësi ka demantuar pretendimet se “është babai i Aleksander Vuçiqit”, duke sqaruar se me nënën e Vuçiq kanë qenë vetëm kolegë të mirë.