Ushtronte vazhdimisht dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas, prizrenasi përfundon në ndalim policor
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.
Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë, në një familje në Zhur të Prizrenit, ku një burrë po dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj bashkëshortes së tij 44-vjeçare.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima është pranuar në këtë qendër me shenja dhune, me ç’rast ka marrë trajtim mjekësor.
Siç mëson Sinjali, viktima edhe më parë ka përjetuar dhunë fizike e psikike nga bashkëshorti.
Si rezultat i raportimit të rastit, i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj 47-vjeçarit të dyshuar të iniciohet rasti për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.