Ushtria gjermane: Pas zhvillimit të hovshëm të Kosovës në dekadat e fundit fshihet një konflikt që po zihet

Bundeswher në një artikull në faqen e tyre zyrtare kanë treguar se pse numri i forcave ushtarake gjermane është rritur në Kosovë përgjatë vitit 2024. Në fillim të artikullit jepet një pasqyrë e Kosovës së zhvilluar, që sipas Bundeswher, vështirë se ta jep përshtypjen se është vend ku ka prani të ushtrisë gjermane.

Në këtë artikull të ushtrisë gjermane përmendet infrastruktura moderne e Aeroportit, autostradat që I krahasojnë me ato në Gjermani dhe qendrat e ndryshme tregtare, si shenjë e zhvillimit.

Duke shkruar për madhësinë e shtetit të Kosovës, “Bundeswher” potencon se bëhet fjalë për rreth 11 mijë kilometra katrorë, që i bie sa gjysma e qytetit gjerman të Hessen-t.

Pas këtij zhvillimi të hovshëm të ndodhur në dekadat e fundit dhe pas rritjes së mirëqenies në Kosovë, Bundeswher shkruan se fshihet fakti se në Kosovë vazhdon të ziej një konflikt, i cili kërkon praninë e një trupe ndërkombëtare mbrojtëse siç është KFOR-i.

Në këtë artikull të publikuar në faqen e ushtrisë gjermane tregohet edhe për patrullimet që KFOR i bën në vijën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe sqarojnë se pse KFOR i referohet si “Linjë Administrative”.

Këtë e ndërlidhin me faktin që Kosova është njohur si e pavarur nga një numër i madh i shteteve përfshirë edhe Gjermaninë, por që ka edhe vende të tjera që vazhdojnë të mos e njohin, përfshirë Serbinë që refuzon të njohë sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Duke mbërritur në skajin më verilindor të Kosovës, jemi në një patrullë ABL. Shkurtesa qëndron për “Administrative Boundary Line,” që do të thotë vijë administrative në kuptimin e një kufiri. Megjithatë, të flasësh për një kufi me Serbinë do të ishte jodiplomatike për KFOR-in (Kosovo Force). Arsyeja: Pavarësia e Kosovës, e shpallur në vitin 2008, njihet nga një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë edhe Gjermaninë. Megjithatë, vende të tjera, veçanërisht rivali i Kosovës, Serbia, e refuzojnë sovranitetin e Kosovës”,thuhet në këtë artikull.

Lexo edhe:  Flasin nga kompania "Fadili Tours" që u sulmua në Serbi, tregojnë si janë mërgimtarët udhëtarë