U vonua të kthehet në shtëpi, e mitura në Gjakovë inskenon se u rrëmbye dhe u dhunua nga dy persona të panjohur
Ngacmimet seksuale, sulmet e dhunimet janë bërë dukuri shqetësuese në vendin tonë, ku në të shumtën e rasteve, viktimat raportohen të jenë vajza të mitura. Zakonisht rastet e tilla denoncohen nga vetë ato, ose edhe nga prindërit që vërejnë se diçka nuk shkon me fëmijët e tyre.
Një rast më ndryshe ka ndodhur së fundi në fshatin Batush të Gjakovës, ku një 14-vjeçare ka deklaruar se është dhunuar seksualisht nga dy persona.
Sinjali mëson se e mitura ka deklaruar se në pikë të ditës dy persona të maskuar e kanë rrëmbyer dhe e kanë dërguar me veturë në një vend të panjohur, ku sipas saj është keqtrajtuar seksualisht.
Në kuadër të veprimeve hetimore, 14-vjeçarja është dërguar për ekzaminim mjekësor në spital, ku është konstatuar se e njëjta nuk është dhunuar seksualisht.
Pas kësaj, ajo ka rrëfyer në Polici se gjithë ngjarjen e ka trilluar nga frika se familjarët do ta qortonin që ishte vonuar të kthehej në shtëpi. E njëjta ka bërë të ditur se me vetdëshirë ka shkuar në një motel në Gjakovë, mirëpo nuk ka kryer marrëdhënie seksuale, ndërsa ka thënë se kontaktin e parë intim e ka pasur në muajin qershor.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë, është arrestuar një person i dyshuar, teksa me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Dhunim’.
Ndryshe brenda 24 orëve në Gjakovë janë iniciuar dy raste të dhunimit, e ku viktima janë vajzat nën moshën 18-vjeçare.