U sekuestruan telefonë, kompjuterë e dokumente/ Si vijoi bastisja e djeshme në MBPZHR?
Gjatë ditës së djeshme, zyrtarë hetimorë të Policisë së Kosovës zbarkuan në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për bastisje.
Aksioni u zhvillua me autorizim të Prokurorisë Speciale dhe kishte në shënjestër dyshimet për shkelje ligjore në tenderin për ndërtimin e një fabrike për mbetjet shtazore.
Dy zyrtarë, përfshirë dhe ministrin në detyrë, Faton Peci, u intervistuan për disa orë, lidhur me dyshimet për shkeljet ligjore, shkruan IndeksOnline.
Në një njoftim zyrtar, nga PK-ja bëhet e ditur se bastisja ka rezultuar me konfiskim të pajisjeve elektronike dhe dokumenteve të ndryshme.
“Bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prishtinës nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, janë kryer kontrolle në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, zyrën e një kompanie private dhe Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike (kompjuterë, telefona), si dhe dokumente të ndryshme në përputhje me urdhëresën e Gjykatës” thuhet në njoftimin e policisë.
Pas aksionit, nga ministria deklaruan se janë në dispozicion të organeve të drejtësisë, për t’ua ofruar informatat që janë në interes të tyre.
“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyre, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, kanë thënë zyrtarisht nga MBPZHR-ja.
Mëngjesin e sotëm reagoi edhe ministri në detyrë i këtij dikasteri, Faton Peci.
Përmes një postimi në Facebook, Peci thotë me bindje se epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për masën njëjtë siç njihet për 30 mijë fermerë që përfitojnë subvencione dhe grante.
“Me theks të veçantë, u drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin!
Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në çdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare.
Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim”, shkroi Peci, në reagimin e tij.