U rrit nga një familje në Mitrovicë, 24 vjeçarja kërkon prindërit e saj biologjikë

Një 24 vjeçare e rritur e adoptuar nga një familje në Mitrovicë, po kërkon që ta gjejë familjen e saj biologjike.

Në ndihmë i ka dalë kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili thotë se vajza u rrit dhe u edukua me shumë dashuri nga familja mitrovicase.

Momentalisht ajo jeton në Gjermani dhe në dosjen e Policisë, sipas Lladrovcit, ajo figuron e gjetur e porsalindur në korrikun e vitit 2000, në udhëkryqin Orllat – Llapushnik.

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Vajza 24 vjeçare po i kërkon prindërit e saj biologjikë!

Jeta ndërton ngjarje me emocione, ndër to është edhe jeta e Vajzës e cila po i kërkon prindërit e saj biologjikë, pas 24 viteve. Unë, i premtova Vajzës se e përkrah iniciativën e saj për të gjetur prindërit biologjikë dhe bëj thirrje të na ndihmojë kushdo ka informacione për këtë rast.

Vajza, sot është e arsimuar dhe edukuar, jeton e punon në Gjermani, ka mirënjohje të thellë dhe falënderime për Familjen në Mitrovicë e cila e ka adoptuar nga SOS Kinderdorf, më 2001.

Në dosjen e Policisë, të vitit 2000, thuhet se Vajza është gjetur nga një patrullë policore e UNMIK-ut në udhëkryqin Orllat-Llapushnik (në krahun e djathtë, te stacioni i atëhershëm i autobusëve), më 10 korrik 2000, në ora 21:40.

Në të dhënat e Spitalit të Prishtinës, shkruan se Vajza në momentin e kontrollimit shëndetësor më datën 10 korrik apo 11 korrik 2000, ka qenë foshnjë e lindur rreth 3 ditë më parë në një spital të papërcaktuar.

Vajza kërkon ndihmë për informacionet e lindjeve nga 5.7.2000 deri në datën 10.7.2000, për të gjetur prindërit e saj biologjikë.
Për këtë, do të ndihmonin edhe shënimet e Spitalit të Prishtinës të kohës kur Vajza ka qëndruar aty, nga 10 korriku 2000 deri më 15 mars 2001.

Lexo edhe:  Mjeku nga Kosova: Operimi i 1 pacienti shqiptar më jep kënaqësi sa për 100 gjermanë

Vajza, është shumë krenare me Familjen në Mitrovicë e cila u përkujdes për të me plotë dashuri prindërore e familjare, e arsimoi dhe edukoi duke e bërë pjesë të denjë të shoqërisë.

Kushdo që ka informacion lidhur me këtë rast, të paraqitet në e mailin e Vajzës i hapur enkas për rastin: [email protected], ose në telefonin: +383 48 600 987