U ndanë për shkak të dhunës, gruaja nga Prishtina rikthehet me burrin me të cilin bashkëjetoi – ai e rrah sërish
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së djeshme edhe një grua 23-vjeçare në Prishtinë, e cila e ka raportuar burrin me të cilin bashkëjeton, për shkak të dhunës që dyshohet se ka ushtruar ndaj saj.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se çifti fillimisht ishte ndarë për shkak të dhunës nga i dyshuari, por janë bashkuar sërish. Rikthimi vetëm sa i shkaktoi frikë e shqetësim edhe më shumë viktimës, pasi u përballë sërish me dhunë fizike.
Përballë kësaj situate, ajo ka kërkuar ndihmë para se të ndodhë diçka më e keqe.
Si rezultat i denoncimit, Policia e ka arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, me ç’rast është kuptuar se motiv i rastit dyshohet të jetë debati mes tyre për përkujdesjen e vajzës.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Dhunë në familje” dhe ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.