U lirua pasi gruaja e denoncoi, gjilanasi ushtron sërish dhunë ndaj saj – përfundon në pranga të Policisë
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë raportohen dhjetëra të tilla, ku zakonisht viktima janë gratë të cilat dhunohen në forma të ndryshme nga partnerët e tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur para dy ditësh në një familje në rrugën “Rexhep Bislimi” në Gjilan, ku një person ka përfunduar në Polici pasi ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe me forcë e dëboi nga shtëpia.
I njëjti u lirua me vendim të Prokurorit të Shtetit, por vazhdoi prapë me të njëjtat veprime ndaj gruas, e cila u detyrua që sërish ta denoncojë.
Si rezultat i raportimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.