U kapën në trafik, ky është i dyshuari që sulmoi 35-vjeçarin me shufër gome në Fushë Kosovë

Shkeljet që bëhen në komunikacion jo rrallëherë përcillen edhe me konflikte verbale mes pjesëmarrësve në trafik, madje ka raste kur eskalojnë. Në të shumtën e rasteve, sherri plas si pasojë e mosmarrëveshjeve në mes të shoferëve. Një rast i tillë ka ndodhur dje në Fushë Kosovë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuar për rastin është Fahri Abazi, 43-vjeçar.

E gjithë ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘e Pejës’, ku pas një konflikti verbal në trafik, Abazi dyshohet se ka dalë nga vetura e tij dhe ka shkuar te vetura e viktimës.

Më tej ai dyshohet se ka sulmuar 35-vjeçarin me shufër gome, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore.

Viktima është dërguar në spital për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 43-vjeçari të dërgohet në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  E konfirmon Rama: Anulohet mbledhja e përbashkët e Qeverive shqiptare