U kap me një shofere dhe e sulmoi në veturë, Policia nis hetimet ndaj gruas së dyshuar
Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e sulme. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në konflikte.
Një incident i tillë ndodhi para disa ditësh në Fushë Kosovë, për çka Policia tashmë ka nisur hetimet.
Sinjali publikoi pamjet e këtij incidenti që dyshohet se ndodhi pas një mosmarrëveshje në trafik dhe përfundoi me sulm.
Gruaja e dyshuar shihet duke dalë nga vetura dhe i shkon shoferes tjetër që ishte mbrapa saj, ku i afrohet te dritarja dhe më pas dyshohet se e ka goditur.
Siç merr vesh Sinjali, shoferja e dyshuar është intervistuar lidhur me rastin dhe më pas është liruar për t’u hetuar në procedurë të rregullt.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e kanë konfirmuar për Sinjalin se me vendim të prokurorit është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka bërë të ditur për Sinjalin se është autorizuar Policia që të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se pas pranimit të informatës nga policia, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”, sipas KPRK-së, si dhe ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë çështje.”