U kap duke gërmuar pa leje në Leposaviq, prokuroria ndalon përdorimin e mjeteve motorike
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka lëshuar një urdhër të përkohshëm ndalues për mjetet motorike që iu janë konfiskuar të dyshuarit S.V., pasi ai po zhvillonte aktivitete të gërmimit të shkëmbinjve në fshatin Popovcë të Leposaviqit me makineri të rëndë, pa leje përkatëse.
Një kamion i markës Volvo 380, ngjyrë e kaltër, me targa vendore regjistrimi dhe një bager Ulta 150 L, ngjyrë e verdhë pa dokumente, janë mjetet që janë ndaluar përkohësisht.
Ndaj të dyshuarit S.V., është hapur një rast për veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”.
Prokuroria ka theksuar se është e angazhuar në luftimin e veprave penale që kërcënojnë mjedisin dhe do të vazhdojë të ndjekë penalisht çdo individ që shkakton dëm në natyrë dhe pasurinë e përbashkët.