Trupi i 33-vjeçarit të mbytur në Liqenin e Ujmanit, Elshani: Rasti trajtohet si vdekje e dyshimtë
Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë gjetur trupin e pajetë të 33-vjeçarit që u mbyt të dielën në Liqenin e Ujmanit, pasi kishte kërcyer nga ura dhe nuk kishte dalë më nga uji.
Genc Metaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, falënderoi të gjitha ekipet për angazhimin dhe shprehu ngushëllime familjes së viktimës.
“Tani është e konfirmuar se ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë arritur që ta gjejnë trupin e pajetë të 33-vjeçarit në liqenin e Ujmanit. Urojmë që ky të jetë rasti i fundit i një ngjarje të tillë, dua të shpreh mirënjohje për FSK-në, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, ekipet e kërkim-shpëtimit etj. Është moment i dhimbshëm, por i falënderojmë për profesionalizmin e tyre. Veprimet e mëpastajshme, operacioni mbyllet këtu, tani janë procedurat e policisë.”, shtoi Metaj.
Ndërkohë, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se rasti po trajtohet si vdekje e dyshimtë dhe se pritet autopsia nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për të vazhduar hetimet. Trupi është identifikuar nga familjarët në objektin e Kryqit të Kuq.
“Policia, në momentin që ka pranuar informacionin që ka ndodhur rasti, e ka trajtuar si vdekje të dyshimtë sepse është hedhur nga ura dhe duhet të shihen edhe elemente se çka ka sjellë deri te hedhja. Është me rëndësi që trupi është gjetur, është sjellë në ndërtesën e Kryqit të Kuq, është identifikuar nga familjarët, ndërsa presim IML-në që të vijë dhe ta marrë trupin. Pas autopsisë do të vazhdojmë tutje.”, theksoi Elshani.