Trumpi e quan “të poshtër” prokurorin që ngriti aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve, zotohet se do ta shkarkojë

Kandidati i republikanëve për president të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do ta shkarkojë “brenda dy sekondave” prokurorin special, Jack Smith, në momentin kur merr postin e presidentit.

Siç raporton AP, ai ka deklaruar të enjten se ky do të jetë ndër vendimet e para si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, derisa e ka cilësuar prokurorin special si person “të poshtër”.

Smith e ka akuzuar Trumpin për përpjekjet e tij në përmbysjen e procesit zgjedhor të 2020-s dhe keqpërdorim me dokumente të falsifikuara. Por, prokurori Jack Smith ka mbajtur postin edhe të kryeprokurorit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë, ku po gjykohet ish-presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Nëntorin e 2022-s, Smith kishte braktisur detyrën në Hagë, për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara me qëllim që ta hetojë Trumpin.

Ai është fokusuar në hetimin e dokumenteve të klasifikuara të gjetura në shtëpinë e Trumpit dhe për rolin e ish-presidentit në sulmin ndaj Capitolit.

Kritika ndaj Smithit ka pasur edhe ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ai ishte shprehur se aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara u parapri nga negociatat për arritjen e “marrëveshjes finale që përfshinte edhe zhbërjen e Gjykatës Speciale”.

“Një grup prokurorësh nuk mundën të gjenin prova kundër Thaçit dhe ish-prokurori tha se nuk kishte asgjë në të e mbylli dosjen dhe iku. Haga vazhdoi të shpenzonte dollarët amerikanë dhe Jack Smith shpenzoi vite duke hetuar krime lufte”, ka thënë Grenell për Smithin në majin e 2024-s.

Por, Smith pati deklaruar se akuzat nuk janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e as kundër Kosovës, por ndaj individëve.

Lexo edhe:  Vendet që do të mbesin nesër pa rrymë nga mëngjesi e deri në mbrëmje!