Trumpi e quan “të çmendur” prokurorin që hetoi ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump e ka quajtur “të çmendur” prokurorin special, Jack Smith, i cili hetoi Trumpin për disa raste dhe ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Në ditën kur ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u kthye për një vizitë të shkurtër për babanë e tij, presidenti amerikan, Donald Trump ka pritur në Shtëpinë e Bardhë, shefin e NATO-s, Mark Rutten.

Në konferencën para mediave, Trumpi ka kthyer vëmendjen përsëri te prokurori, i cili në vitin 2020, si prokuror i specializuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Smith kishte lënë postin në Hagë për të shkuar në SHBA dhe për ta hetuar Trumpin në lidhje me akuzat për zhbërje të rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020, përfshirjen e Trumpit në sulmin famëkeq të 6 janarit 2021 në Capitol dhe për keqpërdorimin e dokumenteve sekrete, pasi Trumpi kishte mbajtur mijëra dokumente në vilën e tij në Florida.

Qëkur Smith nisi ta hetonte, Trumpi e kishte quajtur rastin e tij si “Gjueti shtrigash” dhe i kishte vënë epitete prokurorit special.

Smithin vazhdimisht e ka quajtur të çmendur ose të shkalluar (Deranged në gjuhën angleze).

Në nëntor 2022, Smith u emërua si prokuror special në Shtetet e Bashkuara për të hetuar ish-presidentin Donald Trump lidhur me ngjarjet e 6 janarit 2021 dhe trajtimin e dokumenteve të klasifikuara.

Kjo krijoi një lidhje, pasi Smith ishte prokurori në të dyja rastet kundër dy ish-presidentëve, Thaçi dhe Trump.

Lexo edhe:  Shpërthejnë dy bombola gazi në një vilë në Bogë, lëndohen rëndë katër persona