Tronditëse në Obiliq: 31-vjeçarja humb jetën tragjikisht, dyshohet se i dha fund jetës me pushkë gjuetie

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Sibofc të Obiliqit, ku një grua dyshohet se i ka dhënë fund jetës së saj.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë për shkak se një grua dyshohej se kishte marrë plagë nga një armë e zjarrit.

31-vjeçarja u transportua me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe ndonëse ishte me shenja jete, ajo nuk ka arritur që të përballojë plagën e marrë dhe si pasojë ka ndërruar jetë në spital.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme dhe në kuadër të veprimeve hetimore kanë marrë dëshmitë e tre dëshmitarëve.

Viktima në momentin kritik ka qenë vetëm në shtëpi me fëmijët e saj të mitur, teksa dyshohet se aktin e rëndë e ka kryer me pushkën e gjuetisë së vjehrrit.

Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar arma që dyshohet se u përdor në rast.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe rasti është cilësuar ‘Vetëvrasje’.

 

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në Prishtinë, bëhem llom dy BMW