Tregu i Kosovës mbushet me para false, më së shumti 50-she të falsifikuara
Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar janë ato prej 50 dhe 100 euro. Raste të tilla po raportohen me të madhe nga bankat e bizneset në Kosovë.
Gazeta Sinjali mëson se një zyrtar i bankës TEB në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë ka raportuar se kanë hasur në një kartëmonedhë prej 50 euro, që ishte deponuar nga një person dhe dyshohet se është e falsifikuar. Posa është denoncuar rasti, njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast kartëmonedha është konfiskuar.
Njëjtë ka ndodhur edhe me bankat tjera, sidomos me Raiffeisen dhe ProCredit dhe jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytete tjera.
Kujtojmë se kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.