Tre vëllezër bëhen llom në Prishtinë, rrahen pasi s’u morën vesh për ndarjen e parave

Në shumë raste të dhunës në familjet kosovare përfshihen edhe fëmijët, të cilët përleshen me njëri-tjetrin, si pasojë e mosmarrëveshjeve. Prindërit janë ata që detyrohen t’i denoncojnë këto raste dhe të kërkojnë ndihmë nga Policia.

Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë, natën e Vitit të Ri, në një familje në rrugën Zagrebi në Prishtinë, ku tre vëllezër dhe nipi i tyre janë bërë llom duke u rrahur për shkak të një zënke që patën mes vete, në lidhje me paratë.

Siç mëson Sinjali, të dyshuarit fillimisht u përfshinë në një konflikt për ndarjen e një shume të të hollave, për çka s’u morën vesh dhe aty kërciti dajaku. Ata po dyshohen se e kane grushtuar e shqelmuar njëri-tjetrin, duke pësuar kështu edhe lëndime trupore.

Nëna e tyre ishte ajo që njoftoi Policinë, me ç’rast një patrullë intervenoi në vendin e ngjarjes, ku arrestoi të dyshuarit, të cilët morën trajtim mjekësor në spital e më pas u shoqëruan për në stacion policor për intervistim.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit ndaj tre të dyshuarve të moshës madhore për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Lexo edhe:  “Bon Vivanti” nuk hapet për klientët, pas vrasjes së të premtes