Tre shqiptarë prangosen në Angli

Dy shtetas shqiptarë në arrati, të kërkuar nga drejtësia italiane dhe një tjetër i kërkuar nga drejtësia shqiptare, janë prangosur në Angli.

Siç raporton TCH, Edmond Arra 34 vjeç, bazuar në një urdhër arresti ndërkombëtar është arrestuar në banesën e tij në Londër. Drejtësia italiane e kishte shpallur në kërkim për akuzat e zjarrvënies, dëmtime kriminale, mbajtje arme pa leje, grabitje dhe goditje personi.

Besnik Zekthi, 42 vjeç, është emri i shqiptarit tjetër të arrestuar në Angli si kërkuar i drejtësisë italiane. Ai akuzohet si pjesë e një grupi të organizuar kriminal i përfshirë në trafikun e drogës.

Kurse Dorjan Meshi, 36 vjeç, ishte shpallur në kërkim nga zyra e Interpol Tiranës.

Ai akuzohet se më 14 shkurt 2020, në aeroportin Nënë Tereza kishte me vete një dokument ID në emrin e Daniel Pelcek, për të cilën kishte dijeni se ishte e falsifikuar.

Disa ditë më parë, Gazeta Daily Mail i kushtoi një artikull të gjatë shqiptarëve të cilët janë të kërkuar në Europë apo Shqipëri dhe zgjedhin Britaninë e Madhe si vend-fshehje.

Në artikull hidhej paralelizmi me Costa del Sol në Spanjë.

“Nëse prej shumë vitesh Costa del Sol është përdorur nga kriminelët britanikë të kërkuar nga drejtësia e vendit të tyre, tashmë Britania e Madhe është duke u përdorur si vend fshehje nga shqiptarët me llogari të hapura me drejtësisë shqiptare apo ato evropiane” thotë Daily Mail.

Lexo edhe:  Brenda shtëpisë së të moshuarës, rrëfehen familjarët mes lotëve: A kanë more Zot?