Tomë Gashi pas zhdukjes së mostrave të Deharit: I di tre emrat, por s’po i them

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka folur për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, gjë për të cilën ka folur sot ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ai thotë se Haxhiu e ka njoftuar mbrëmë  dhe sipas Tomë Gashit “dikush dëshiron t’i fsheh provat për vrasjen e Astrit Deharit”.

“Më ka njoftuar ministrja para konferencës. Mbrëmë ministrja ka marrë informatë se janë zhdukur mostrat në IML, në laboratorin e toksikologjisë. Janë 12 mostra të gjakut që janë zhdukur përfundimisht. Një cështje po dihet, dikush po do me e mshef rastin e vrasjes së Astrit Deharit. Po mundohen me e mshef me mish e me shpirt”, ka thënë Gashi.

“S’është manipulimi i parë. E kemi edhe ekspertizën shtesë, ku thanë që mostrat e dërguara nga Prokuroria janë manipuluar. Nëse dikush i zhduk provat është provë e rëndë”, ka shtuar ai.

Tomë Gashi tutje ka pretenduar se mostrat kanë mundur të zhduken shumë më herët, por që tek mbrëmë është marrë vesh kur është brë zhvendosja e mostrave.

“Këto janë zhdukur shumë ma herët, por dje është marrë informata që ato s’janë më aty. Këto qenkan në mënyrë rutinore që bëhet ndryshimi. Përfundimisht ministrja haxhiu e ka marrë vesh dhe ka njoftuar Prokurorinë dhe Policinë”, ka thënë Gashi.

Tomë Gashi ka thënë se i di tre emrat e personave, por që s’dëshiron të flasë për të mos i dëmtuar hetimet.

“Unë i di emrat e këtyre tre personave. Por s’mund t’i them. Për mos me i dëmtu hetimet. S’e kam të ndalume, por s’du me i thanë derisa dosjen e ka Prokuroria. Është duke u hetuar rasti, prej që është marrë vesh rasti”, ka thënë Gashi në T7.

Lexo edhe:  MPB njofton se pikat në Merdare, Jarinjë dhe Bërnjak janë të bllokuara për qytetarët me dokumente të Kosovës

Sipas tij më së largu deri nesër do të mund të dalin publikisht emrat e personave që mund të jenë të ndërlidhur me rasti.