“T’met në fyt nëse e blen”, mesazhi në keksat e Serbisë po “dhezë” – ulet prania e produkteve serbe në tregun e Kosovës

“T’met në fyt nëse e blen”, është mesazhi i shkruar në një kuti të biskotave.

Një qytetar ka shkruar mesazhin me të cilin kundërshton blerjen e produkteve serbe.

Krejt kjo ndodhi pasi prej një kohe ka nisur fushata kundër produkteve serbe, të cilat shiten me të madhe në Kosovës.

E duket se kjo fushatë po ka ndikim, pasi ka nisur të ulet shitja e produkteve me origjinë nga Serbia.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2022, vlera e importeve nga Serbia ka qenë 370 milionë euro.

Por sipas drejtorit të Doganës, Agron Llugaliu, prania e produkteve serbe në Kosovë ka shënuar rënie në krahasim me vitet 2017 ose 2018. Sipas tij kjo për faktin se vlera e importit përgjatë këtyre viteve, në përgjithësi është rritur.

“Sot po flasim për mbi 5 miliardë import, ndërsa në vitin 2018 kemi folur për 3 miliardë import. Përqindja se sa kanë zënë hapësirë në tregun e Kosovës produktet serbe në vitin 2018 me përqindjen sot është dyfish. Atëherë kanë qenë 12 për qind në vitin 2017-2018, ndërsa sot janë 5-6 për qind. Kur e bëjmë matjen ne nuk guxojmë të manipulojmë kur e paraqesim një të dhënë. Kjo është e vërteta e importit sa i përket, 370 milionë euro, përkundër 450 milionë euro që ka qenë në vitin 2017 para fillimit të masave”, ka thënë Llugaliu.

Ai ka folur edhe për shifrat e importit dhe eksportit gjatë vitit 2022. “Sa i përket importit gjatë këtij viti, kemi pasur 5.6 miliardë import të mallrave dhe 869 milionë eksport apo 22 për qind më shumë se viti paraprak që ka qenë 712 milionë. Ndërkaq, importi në vitin paraprak ka qenë 4.6 miliardë”, theksoi Llugaliu.

Lexo edhe:  U tha se u ndanë, reagon gruaja e Vedatit

Llugaliu ka treguar se pse Kosova gjatë vitit 2022 ka importuar më shumë nga Turqia. “Turqia është dukshëm vendi nga ku importojmë më së shumti. Kjo ka ndikuar për shkak të rënies së numrit të automjeteve që vijnë kryesisht nga Gjermania. E dimë se kanë ndikuar çmimet në nivel global të automjeteve dhe oferta e kufizuara”, ka thënë Llugaliu.