Tifozët i ngatërrojnë të ëmën me gruan, sulmuesi shqiptar bëhet viral në rrjetet sociale
Një foto e sulmuesit shqiptar Leon Dajaku në rrjetet sociale, ka krijuar një ngatërresë të pazakontë mes ndjekësve të futbollistit. Ai shfaqej në atë foto me një bionde, që shumëkush mendoi se ishte e dashura e tij.
Por në fakt, ajo është Blerta, e ëma e futbollistit 23-vjeccar i cili tashmë luan në Kroaci me fanellën e Hajduk Split, teksa më parë ka qenë pjesë e Bajern Mynih dhe Sandërlend.
Blerta u bë një emër i njohur në rrjetet sociale në Kroaci pas transferimit të të birit atje, duke grumbulluar me mijëra ndjekës në faqen e saj në Instagram.
Dhe estetistja me prejardhje nga Kosova, nuk ngurron të postojë herë pas here për ndjekësit e shumtë foto nga udhëtimet e saj si Dubai, Ishujt Maldive, Parisi apo edhe Anglia, ku ka ndjekur nga afër të birin.
Duke komentuar në rrjetet sociale në foton në fjalë, një tifoz shkroi
“Kjo është e ëma e tij, jo gruaja. Jam absolutisht i mahnitur”. Ndërsa një tjetër shtoi “Ai duket më i plakur se e ëma”, për foton që është bërë virale jo vetëm në Kroaci, por edhe në media më të njohura ndërkombëtare.