“T’i thej eshtnat e ta prishi fytyrën”, I riu në Fushë Kosovë kërcënon babanë e tij
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në Fushë Kosovë, ku një person dyshohet se ka kërcënuar babanë e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 61-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka njoftuar se pas një konflikti verbal me të birin, ky i fundit ka eskaluar në kërcënime.
Bazuar në dëshminë e tij, 20-vjeçari e ka kërcënuar se do t’ia thyejë eshtrat nëse e lajmëron në Polici dhe do ta mbyll në shtëpi.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për veprën penale ‘Dhunë në familje’.