’Ti je e sëmurë psikike, t’kalli’, nëna në Gjakovë kërkon mbrojtje nga shteti, kanoset seriozisht nga djali

Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. Një rast i tillë i rëndë është raportuar të ketë ndodhur në rrugën ‘Mihajl Grameno’ në Gjakovë, ku një grua e ka denoncuar djalin e saj për dhunë në familje.

Burimet nga Prokuroria bëjnë të ditur se një 53-vjeçarje, në hall me të birin ka vendosur ta raportojë rastin në Polici, ku e shqetësuar skajshmërisht ka rrëfyer për dhunën dhe kërcënimet që mori nga 27-vjeçari.

Sinjali mëson se nga deklarata e nënës është kuptuar se djali po i shkakton probleme që një kohë, por një eskalim i tillë siç ka ndodhur herën e fundit nuk ka ndodhur asnjëherë dhe për ta parandaluar më të keqen, është detyruar që të kërkojë ndihmë.

Më tutje, burimet thonë se viktima ka përshkruar në detaje se si djali i kishte thënë fillimisht ‘budallicë, e sëmurë psiqikisht e fjalë të tilla, që e shqetësuan atë, derisa iu drejtua edhe me fjalët “t’kalli”.

Përballë kësaj situate, 53-vjeçarja u largua nga shtëpia dhe u nis te një mike e saj, prej ku njoftoi Policinë dhe ka kërkuar urdhër të mbrojtjes, pasi ka frikë se djali i saj mund t’i bëjë diçka.

Si rezultat i këtij denoncimi, Policia është vënë në veprim, por s’ka arritur ta kap të dyshuarin, edhe pse është kërkuar në shtëpinë e tij, si dhe në vendin e punës. Ndaj tij Prokurori i Shtetit ka kërkuar nisjen e hetimeve dhe ndalimin posa të sigurohet prezenca e të njëjtit.

Lexo edhe:  Hiqet bllokada në Jarinje