Theret me thikë një 25-vjeçar në Prishtinë, dërgohet me urgjencë në spital
Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete. E gjatë konfrontimeve fizike, përpos grushteve shpesh përdoren edhe mjete të mprehta.
Në një përleshje janë përfshirë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm dy të rinj në rrugën ‘Nazim Gafurri’ në Prishtinë, ku si pasojë një person ka mbetur i therur me thikë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 25-vjeçari është dërguar atje me plagë në krah dhe dorë, e që dyshohet t’i jenë shkaktuar nga goditja me thikë.
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e viktimës është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
I dyshuari është paraqitur në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë, ndërsa thika qe dyshohet se u përdor në rast, nuk është gjetur ende.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 34-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.