Theret me thikë një 19 vjeçar në Ferizaj

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Ferizaj, ku në rrugën ‘Mehmet Begraca’ është gjetur një person i shtrirë në tokë dhe në gjendje të rëndë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 19-vjeçari është dërguar atje me plagë në shpinë, të cilat dyshohet se i janë shkaktuar me anë të goditjeve me mjet të mprehtë.

Pas dhënies së ndihmës së parë, për shkak të natyrës së lëndimeve, i riu është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Sinjali mëson se gjendja shëndetësore e të riut është stabile dhe i njëjti ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Momentalisht nuk ka persona të dyshuar dhe me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’.

Lexo edhe:  "Zani mos t'nihet. E ke shkelë policin, majmun" - "M'keni sha e m'keni rreh" - Përplasja e policisë me qytetarin pas aksidentit në trafik