Tentoi t’u japë 10 euro ryshfet policëve, arrestohet i riu në Mitrovicë
Një rast i pastër i tentim-korrupsionit në komunikacion është regjistruar sot në qytetin e Mitrovicës, ku një i ri ka përfunduar në ndalim pasi ka tentuar t’u japë ryshfet zyrtarëve policorë për të mos u ndëshkuar për një kundërvajtje në trafik.
Gazeta Sinjali mëson se më 2 qershor 2025, rreth orës 12:30, në rrugën “Isa Boletini” në Mitrovicë, është arrestuar Rejhan Kucevic, 25 vjeçar, pasi dyshohet se ka tentuar t’u japë ryshfet zyrtarëve policorë për të mos u gjobitur për parkim të parregullt.
Zyrtarët e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK – Mitrovicë Jug), pas pranimit të informacionit, janë përfshirë menjëherë në rast dhe nën udhëzimet e Prokurorit të Shtetit, kanë iniciuar procedurë penale për veprën “Dhënia e ryshfetit”.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa si provë materiale është sekuestruar një kartëmonedhë prej 10 euro, të cilën dyshohet se e kishte ofruar si ryshfet.
Pas analizimit të raportit zyrtar dhe provave të mbledhura, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, në pritje të procedimeve të mëtejme ligjore.
Hetimet për rastin janë në zhvillim.