Tentoi të futet me forcë në shtëpi dhe i kanosi verbalisht dy gra – I dyshuari nga Fushë Kosova shpallet në kërkim policor

Një rast i rëndë i dhunës në familje, i shoqëruar me kanosje dhe tentim për të hyrë me forcë në banesë, është raportuar mbrëmjen e së shtunës në Fushë Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve nga Policia, më 07.06.2025 rreth orës 23:45, në rrugën “Isuf Hoxha”, është raportuar se F.M, 34 vjeçar ka shkuar në banesën ku jeton bashkëshortja e tij, Xh. M, 42 vjeçare, dhe një grua tjetër, V.B, 23 vjeçare, ku ka tentuar të hyjë me forcë duke goditur derën dhe duke lëshuar ofendime, sharje dhe kërcënime verbale ndaj tyre.

Të frikësuara, viktimat nuk e kanë hapur derën dhe kanë njoftuar menjëherë Policinë, por në momentin që njësia ka dalë në vendin e ngjarjes, i dyshuari ka ikur në drejtim të panjohur dhe vazhdon të jetë në arrati.

Rasti është trajtuar nga njësia për dhunë në familje dhe është njoftuar Prokurorja Kujdestare, e cila ka urdhëruar që të inicohet rasti penal për veprën “Dhuna në familje” dhe “Kanosje”.

Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa Policia është në kërkim të të dyshuarit.

Lexo edhe:  Policia arreston një llapjan për vrasje në tentativë, ia sekuestron edhe “tfurkun”