“Tentoi ta dhunojë vjehrri i vet”- Historia e nënës së pesë fëmijëve nga Podujeva që dyshohet se ia mori jetën vetës pas problemeve familjare

Vetëm 16 vjeçe ishte kur hyri në oborrin e shtëpisë së saj të re me ëndrra të mëdha për të ndërtuar jetën e re, me njeriun që e deshi deri në frymën e fundit të saj.
Në skaj të oborrit ku ishte vendosur një luhatëse, e ku Bahtije Behrami hiqte mërzinë duke u munduar të luante me 5 fëmijët e saj, vendosi t’i japë fund jetës më 17 korrik të këtij viti.

Por jeta e nënës së 5 fëmijëve nuk qe e lehtë. Ajo u ndërtua mes dhunës e tmerrit, për të cilën familja e Bahtijes thonë se i erdhi nga bashkëshorti dhe familja e tij, raporton KIKS Kosova.

Ka muaj që ata kërkojnë të dinë një të vërtetë, se cila ishte arsyeja që e shtyu të bijën e tyre deri në vetëvrasje.
Pas 11 vjetësh martesë, Bahtija la pas 5 fëmijë dhe të shoqin, por për familjen Behrami, i shoqi i saj Gëzimi, ishte shkaktari kryesor që të bijën e tyre e çoi drejt vdekjes.

Tani kur të bijën e ka nën dhe, e ëma Sebahatja kthehet në kohë dhe kujton ditët kur Bahtija u dashurua në Gëzimin dhe u martuan.

Gëzimi i familjes Behrami për martesën e të bijës në vitin 2013 nuk zgjati shumë. Qysh në vitin e parë të martesës, Bahtijes i filluan problemet në familjen Berisha.

Nëna Sebahatja pretendon se po atë vit kur ndodhi martesa, babai i Gëzimit kishte tentuar që të dhunonte seksualisht nusen e tij, Bahtijën.

Familjet Behrami dhe Berisha kishin vendosur që këtë vepër të kryefamiljarit të familjes Berisha ta mbulonin, duke e zgjidhur çështjen përmes bisedimeve në odë burrash.

Ata u morën vesh që Bahtija dhe Gëzimi të ndërtonin një shtëpi dhe të jetonin ndarazi, në mënyrë që të shmangej kontakti me vjehrrin, i cili sipas familjes, kishte tentuar ta dhunonte atë.

Lexo edhe:  E thonë vëllezërit: Mërgimtari që u arrestua në Merdare po maltretohet në Kurshumli

Por edhe në shtëpinë që ia ndërtuan familja e saj, Bahtija filloi të mos kishte më ditë dhe net të qeta.

Xhelozia dhe posesiviteti i Gëzimit, tashmë kishin zënë vend në të gjithë hapësirën e asaj shtëpie.

Dyshohet se Bahtija po përjetonte presion psikik nga i shoqi, duke u akuzuar për tradhti edhe për lëvizjen e saj më të vogël.

Sipas së ëmës, asaj i ndalohej takimi me familjarë meshkuj, përveç vëllezërve të saj.

Xhelozia e të shoqit kishte arritur deri në atë pikë, saqë Gëzimi nuk ndjente më dhembshuri as për fëmijët e tij.

Në një rrëfim, e ëma kujton rastin kur ai nuk e lejonte Bahtijen të qëndronte në spital me të birin.

Sebahatja rrëfen se për 11 vjet, ata gjithmonë e kishin mendjen te e bija dhe raporti i saj me të shoqin.

Madje, disa herë ajo i kishte thënë të ndjerës që mund të mos kthehej më te bashkëshorti dhe se ajo, si nënë, do të kujdesej për të deri në fund të jetës.